Në kuadër të konsultimeve për mandatarin e ri për të udhëhequr qeverinë e re të Serbisë, presidenti i porsazgjedhur Aleksandar Vuçiq ka ftuar edhe deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë z.Fatmir Hasani, i cili u shoqërua nga kryetari i PVD-së, z.Halimi, kryetari i Bujanocit, z.Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, znj.Ardita Sinani.
Gjatë takimit pjesën më të madhe të diskutimeve zuri debati rreth problematikave me të cilat po ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe zgjidhjet eventuale të cilat duhet patjetër të inkorporohen në programin e çdo kandidati për kryeministër të Serbisë pa marrë parasysh se kush do të kandidohet nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Menjëherë pas takimit të së martës, kryetarja e Preshevës ka drejtuar një shkresë kabinetit të presidentit të Serbisë, përmes së cilës janë kërkuar të zgjidhen me urgjencë problemet në institucionet arsimore me qëllim që të fillohet mësimi në kushte normale edhe në shkollat e komunës së Preshevës me fillimin e vitit akademik 2017/2018.
Përmes kësaj shkrese është kërkuar përshpejtimi i procedurave për fillimin e rekonstruktimit gjeneral të objektit të shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë me prioritet sallën e edukatës fizike, rekonstruktimi i përgjithshëm i objektit të gjimnazit “Skënderbeu”, rekonstruktimin e objektit të shkollës “Vuk Karaxhiq” në St.Hekurudhor, ndërtimin e objektit të ri për shërbimin e emergjencës në kuadër të Shtëpisë së shëndetit në Preshevë dhe përshpejtimin e procedurave për prokurim publik me qëllim të fillimit sa më të shpejtë të punëve në zonën industriale në Preshevë.
Duke pasur parasysh se për rekonstruktimin e sallës së edukatës fizike të shkollës fillore “Prof.Ibrahim Kelmendi”, Ministria e punës, punësimit dhe çështjeve sociale ka siguruar donacionin me lartësi prej 50.000,00 euro nga Banka Gjermane për Zhvillim, pas kërkesës së kryetares Sinani, Qeveria e Serbisë të enjten ka ndarë 6.000.000,00 dinar të destinuara si rezervë për sallën në fjalë, të dedikuara për hapësirat ndihmëse, zhveshtoret, gëlqerosjen dhe pajisjet përcjellëse për realizimin sa më kualitativ të orës së edukatës fizike dhe sportit zgjedhor në këtë shkollë./rtvpresheva.com/

PËRGJIGJU