Qeveria ne Maqedoni miratoi propozim ligjin për gjuhët, zgjidhja avancon përdorimin e shqipes

0
25

Qeveria në seancën e mbrëmshme ka miratuar propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili tani ka hyrë për miratim në procedurë parlamentare. Propozimi i hartuar dhe miratuar nga partnerët e koalicionit qeveritar parasheh avancimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike që përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në Maqedoni. Për dallim nga ligji i kaluar pranë përkufizimit 20 për qind në kllapa qëndron gjuha shqipe, por përdorimi i saj siç thuhet në nenin 1 pika 2, rregullohet në pajtueshmëri me ligjin.

PROPOZIM LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE

Neni 1

(1) Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.

(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuhë shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabet i saj, në përputhshmëri me ketë ligj.

(3) Në të gjitha organet të pushtetit qendror në Republikën e Maqedonisë, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare përskaj gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.

Megjithatë sipas Propozim-Ligjit shqipja nuk përdoret në bankënota dhe uniformat e ARM-së për të cilat do të kërkohet vlerësim nga Komisioni i Venedikut. Në Bankënota thuhet se do të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare ndërsa sa i përket uniformave policore, të zjarrfikësve, uniformat shëndetësore apo të tjera ato do të jenë në dy gjuhë, por vetëm në komunat ku së paku 20% e popullatës janë flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja.

Me propozimin e hartuar avancim të gjuhës parashihet në institucione të nivelit qendror si në Kuvend, Qeveri, organet e pushtetit gjyqësor dhe institucione tjera, si në të folur ashtu edhe në të shkruar.

Sa i përket kuvendit ndryshimet ligjore parashohin që tani edhe kryesuesi i seancave të mundet që mbledhjet e Kuvendit ti udhëheq edhe në gjuhën shqipe apo siç thuhet në gjuhën që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë. “Deputeti që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, dhe të cilët e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, kur drejton me mbledhjen e Kuvendit apo të trupave kuvendore, të njëjtat u udhëheqë në atë gjuhë”, thuhet në pikën 3 të nenit. Të gjitha dokumentet, stenogramet dhe aktet që i miraton Kuvendit, gjithashtu do të publikohen në dy gjuhë. 4.

PROPOZIM LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE

Neni 4

(1) Në punën e Kuvendit të Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik si dhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj

(2) Deputeti, zyrtari i zgjedhur apo i emëruar që flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, dhe të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, në mbledhjet e Kuvendit të Maqedonisë dhe mbledhjet e trupave kuvendore flet edhe në gjuhën që flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë

(3) Deputeti që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, dhe të cilët e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, kur drejton me mbledhjen e Kuvendit apo të trupave kuvendore, të njëjtat u udhëheqë në atë gjuhë.

(4) Deputeti që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, dhe të cilët e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, materialet me kohë i merr përkatësisht i dorëzon edhe në gjuhën dhe alfabetin e tij që të shërbejnë në mbledhjet e Kuvendit apo mbledhjet e trupave kuvendore….

Në propozim ligjin e qeverisë parashihen ndryshime edhe në mbledhjet e qeverisë ku tani thuhet se në mbledhjet e ekzekutivit gjuhë zyrtare përskaj maqedonishtes do të jetë edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë. Edhe këtu parashihet që në rast se me seancat udhëheq ndonjë anëtar i saj që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, këtë të mund ta bëjë në gjuhën që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë. “Kur me seancat e Qeverisë, komisionet si dhe kolegjiumet udhëheq zyrtar i zgjedhur apo i emëruar i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedone dhe të cilën gjuhë e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë, të njëjtat i udhëheq në atë gjuhë dhe shkrim”, thuhet në pikën 3 të nenit 5. Të gjitha vendimet e mbledhjeve të qeverisë, stenogramet dhe aktet tjera do të publikohen në dy gjuhë.

PROPOZIM LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE

Neni 5

(1) Në punën e Qeverisë së Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedone dhe alfabeti i saj virilik si dhe gjuha që e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj.

(2) Seancat e Qeverisë së Maqedonisë udhëhiqen në gjuhën maqedone dhe alfabetin e saj qirilik.

(3) Kur me seancat e Qeverisë, komisionet si dhe kolegjiumet udhëheq zyrtar i zgjedhur apo i emëruar i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedone dhe të cilën gjuhë e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë, të njëjtat i udhëheq në atë gjuhë dhe shkrim.

(4) Zyrtar i zgjedhur ose i emëruar i cili flet gjuhë ndryshe nga gjuha maqedone, të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë, në seanca të Qeverisë, në komisione të qeverisë dhe në kolegjiume flet në gjuhën e tij.

(5) Zyrtari i zgjedhur ose i emëruar i cili flet gjuhë ndryshe nga gjuha maqedone, të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM, materialet i pranon në kohë gjegjësisht i dorëzon në kohë në gjuhën dhe alfabetin e tij që t’i shërbejnë gjatë seancave të Qeverisë, në komisione ose në kolegjiume.

(6) Stenogramet nga seancat e Qeverisë, seancat e komisioneve dhe kolegjiumeve si dhe materialet dhe dokumentet tjera që jepen dhe ruhen në gjuhën maqedone dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj.

(7) Të gjitha aktet që sjellë Qeveria e Maqedonisë jepen dhe shpallen në gjuhën maqedone dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj.

Përdorimi i shqipes gjen avancim edhe në institucionet gjyqësore, procedurat hetimore, parahetimore, ekzekutive, administrative, aktet noteriale, librin amëz, certifikata e lindjes si dhe në procedura tjera. Sa i përket dokumenteve të udhëtimit si pasaportat dhe letërnjoftimet me ndryshimet thuhet se më kërkesë të tyre jepen në gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë si dhe në gjuhën maqedonase, por me kërkesë. Në dy gjuhë publikohen edhe mbishkrimet e institucioneve në nivel qendror dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja në dy gjuhë do të lëshohen edhe pullat postale. Sipas nenit 18 emrat e rrugë, sheshet, urat dhe objekte tjera infrastrukturore në komunat ku së paku 20 për qind e popullatës flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe në Shkup, shkruhen në maqedonisht dhe në gjuhën që e flasin paku 20 për qind e popullatës. Gjuha shqipe gjen zbatim edhe në vendkalimet kufitare dhe në aeroportet por në ato rajone ku së paku 20 për qind e popullatës flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja.

Pas zbatimin e ndryshimeve ligjore qeveria ka paraparë formimin e dy institucioneve, agjencisë për zbatimin e gjuhëve që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë të përbërë nga përkthyes të autorizuar gjyqësor, liungusit, filozof të diplomuar në gjuhën shqipe si dhe lektorë të licencuar. Ata do të udhëhiqen nga drejtori i agjencisë i cili emërohet nga qeverisë përmes shpalljes publike. Detyra e agjencisë do të jetë të ndihmojë institucionet në realizimin e obligimeve që dalin nga ky ligj si dhe të lekturoj të gjitha vendimet dhe aktet tjera para se të publikohen në dy gjuhë. Veç agjencisë, është paraparë edhe formimi i inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Është paraparë që një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të gjitha institucionet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e ligjit. Gjithashtu, parashihet që në afat prej gjashtë muajve nga miratimi i ligjit të gjithash institucionet janë të obliguara të zbatojnë obligimet e nenit 7 të ligjit. Për moszbatim të ligjit janë paraparë dënime prej 4 deri më 5 mijë euro për institucionet e theksuara në nenin 1 pika 3 dhe nenin 2 pika 3 të ligjit dhe 30 për qind e kësaj vlere për personat zyrtar dhe përgjegjës në organet e pikës 1këtij neni.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here