Haradinaj: Preshevasit nuk do të jenë më të diskriminuar

0
101

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Dega në Gjilan, ka mbajtur mbrëmë një tubim elektoral me qytetarë të Perlepnicës, Mireshit, Kmetocit dhe Verbicës. Në këtë tubim u prezantuan dhe kandidatët për asamble komunale që vijnë nga këto lokalitete.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në këtë tubim, së bashku me kandidatin për kryetar të Gjilanit Rexhep Kadriu ka thënë se qytetarët nga Lugina e Preshevës që jetojnë në Kosovë kanë qenë të diskriminuar deri më tani.
“Tetëmbëdhjetë vjet jetojnë në Kosovë, dhe ende nuk kanë dokumente. Nuk mund të vazhdohet tutje kështu, të gjithë do të pajisen me dokumente”, ka thënë kreu i Qeverisë.
“Në Kosovë do të ndryshojë edhe financimi për Luginën, por edhe kuota dhe disa përparësi për këtë kategori të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, u shpreh kryetari i Aleancës.
“Jemi të vendosur që t’iu japim formë edhe komunave, sepse janë keq dhe duhet të reflektojmë. Në Gjilan nuk është punuar përnjëmend. Por pas 22 tetorit do ta kemi një kryetar përnjëmend dhe një qeverisje përnjëmend,” ka shtuar ai duke kërkuar votën e gjilanasve për Kadriun.
“Vota për Rexhep Kadriun është votën për juve dhe të ardhmen e juaj,” ka thënë Haradinaj.
Kandidati për Gjilanin nga radhët e AAK-së, Rexhep Kadriu, tha se ndryshimin në Gjilan do ta bëjnë bashkë me gjilanasit.
“Ndryshimi është nevojë për Gjilanin. Nuk dua të merrem me qeverisjen e LDK-së dhe PDK-së, por po tregoj se çfarë do të bëjë AAK-ja pas datës 22 tetor,” kaa thënë Kadriu.
Ai u premtoi qytetarëve zhvillim ekonomik, infrastrukturë, hapje të vendeve të punës, ndërsa ka thënë se tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me kompani franceze, për ndërtimin e një fabrike me 500 vende pune.
“Sot kemi nënshkruar një marrëveshje mirëbesimi ndërmjet entitetit ‘Verilux’ të Francës dhe AAK-së në Gjilan që garanton në start 500 vende pune. Kjo marrëveshje ka për synim tërheqjen e investitorëve francezë për t’i realizuar një mori projektesh në rast se AAK-ja do të udhëheqë Gjilanin, projekte që do të krijojnë mijëra vende të reja pune”.
“Pra, Gjilani nuk ndryshohet duke ngritur një gisht, as dy gishta, e as me grusht në ball, por me projekte konkrete”, u shpreh Kadriu.
Një tjetër premtim i Kadriut ishte punësimi sezonal i studentëve. “Studentët në vitin e fundit të studimeve, Aleanca ka paraparë t’i punësojë 300 për çdo fillim të sezonit të verës, me pagë 200 euro”, tha Kadriu.
“Autostrada do të bëhet sepse kjo është e premtuar edhe nga kryeministri Haradinaj. Të gjithë këto do t’i bëjmë bashkë”, ka theksuar Kadriu, i cili ka premtuar edhe 6 parkingje në qytetin e Gjilanit./rtvpresheva.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here