Kamberi: Kërcënimet nuk ju kryejn punë

0
302

Sot, NDRYSHIMI i vetëm i propaguar për Preshevën na paraqiten të jenë KËRCËNIMET ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Shpresoj që kjo politikë, të mos jetë mbizotruese nesër, kur zgjedhjet edhe të përfundojnë.

Shkruan: Shaip Kamberi

Fushata për zgjedhjet e parakohshme lokale në Preshevë ka hyrë në fazën finale. Pesë parti, pranë Komisionit zgjedhor komunal, kanë dorëzuar listat e veta zgjedhore, ndërkohë që pritet edhe disa prej tyre të bëjnë këtë ditët në vijim.

Do të jenë shtatë apo tetë lista zgjedhore nuk është më e rëndësishmja.

Deri më tani, bazuar në tubimet fillestare të partive që i kanë mbajtur ato, fushata, të cilën e karakterizojnë kritikat e ashpra ndaj “kundërshtarëve”, “të vjetërve”, “të harxhuarve” etj, ngjason të jetë e njëjtë apo e ngjashme sikurse edhe në zgjedhjet paraprake, edhe në ato të mëhershmet.

Risi, për të keq, në këto zgjedhje na paraqiten të jenë kërcënimet e drejtpërdrejta dhe publike të disa militantëve të një partie, ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe ndaj atyre për të cilët janë të sigurtë se nuk do tua marrin votën.

Deri më tash, pavarësisht ashpërsisë së gjuhës të përdorur nëpër tubimet partiake, askujt nuk i ka shkuar ndërmend ta kërcënojë kundërshtarin politik e aq më pak qytetarin për të cilin e dijnë se nuk e kanë lojal në mënyrë kaqë të drejtpërdrejtë dhe publike.

Nëse “Dita e mirë shihet në mëngjes” atëherë i bjen se edhe “Dita e keqe shihet në mëngjes”. Pra, nëse kjo fushatë zgjedhore paraqet mengjësin e asaj që do të ndodhë pas zgjedhjeve, Presheva, vërtetë duhet të jetë e brengosur nga këto kërcënime.

Preshevën vërtetë e presin konflikte edhe më të mëdha ndërshqiptare, sepse kërcënimet po u dërgohen shqipëtarëve nga shqiptarët. Në këto konflikte të brendshme po tentohet që me çdo kusht të futet edhe diaspora. Prandaj edhe Presheva duhet seriozisht të mendojë se kujt do ti japë votën, sepse me votën e vet përcakton edhe raportet e ardhme ndërshoqërore, fqinjësore, miqësore për katër vitet e ardhshme.

Në një rajon, dekada me radhë politikisht të diskriminuar nga politikat shtetërore, në të cilin gjendja sociale po e gëryen edhe substancën kombëtare, të kërcënosh me “ditë të zeza” shqiptarët, sepse ata po konsiderohen armiq e jo serbët e unifikuar në stilin e “Sërpskës” vërtetë të detyron të mendosh për mentalitetin hakmarrës të një qeverisje të munshme në Preshevë.

Jo që rivalët e kërcënuar politik duhet të frikësohen, jo që Presheva është Kore e Veriut, jo që kërcënuesit kanë raketa bërthamore, larg asaj.

Vetë kërcënuesit, prej politikave shtetërore, janë të brishtë dhe gjenden në situatën e njëjtë diskriminuese sikurse edhe ata që po i kërcënojnë. Kjo më tepër flet për mendësinë politike të një pretendenti për ta qeverisur Preshevën.
Kjo vërtetë shtron dilemën se si do të sillet kryetari i ardhshmë i Preshevës? A do të jetë ai kryetarë i gjithë qytetarëve të kësaj komune të varfëruar? Në emër të kujt dhe për llogari të kujt bëhen këto kërcënime?

Ndoshta, fryma e ndryshimeve në Preshevë preferon të zbatojë politikat e diskriminimit edhe në nivelin lokal, dhe gjendjen, edhe ashtu të rënduar socio-politike ta bëjë të padurueshme.

Dilema tjetër që shtrohet është ajo se a mund që kjo fushatë e kërcënimeve parazgjedhore ta arsyetojë një kryetarë tjetër të Preshevës nesër t’i përdorë kërcënimet e sotshme për revanshizëm politik si mjet ndaj vetë kërcënuesve të sotshëm.

Sot, nga ajo që po shihet del se NDRYSHIMI i vetëm i propaguar për Preshevën na paraqiten të jenë KËRCËNIMET ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Shpresoj që kjo politikë, të mos jetë mbizotruese nesër, kur zgjedhjet edhe të përfundojnë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here