Një duel mes Anthony Joshua dhe fituesit që do të dalë nga sfida e 1 dhjetorit mes Deontay Wilder e Tyson Fury është më e rëndësishme se një përballje ndaj çdo rivali tjetër.

I këtij mendimi është boksieri britanik Anthony Joshua, që ka vendosur në krye të listës së rivalëve për duelin e 13 prill 2019 fituesin që do të dalë nga sfida e Los Angelesit. Një sfidë që do të sjellë edhe më shumë të ardhura se ndaj çdo rivali tjetër.
Wilder konsiderohet favorit në përballjen me Fury, por britaniku ka treguar edhe më parë se di të surprizojë dhe të përmbysë parashikimet.
Gjithsesi, fituesi i këtij dueli do të marrë titullin e kategorisë WBC, që aktualisht mbahet nga Wilder, ndërsa Joshua mban titujt e kategorive IBF, WBA e WBO. Ndaj, në prill të 2019-ës, mund të kemi duelin e madh të unifikimit të titujve kampionë në një boksier të vetëm.
“Edhe WBC e ka bërë të qartë kërkesën e saj, që fituesi i duelit Wilder-Fury do të përballet me mua, gjë të cilën e kërkojmë edhe ne.
Kur kjo do të jetë zyrtare, çka do të dalë pas 1 dhjetorit, atëherë mund të hedhim firmat në kontratë me fituesin”, tha Joshua.
“Kjo është sfida që duan të shohin të gjithë, një përballje mes boksierëve më të mirë”, u shpreh më tej Anthony Joshua, që rrezikon të ketë përballë në duelin e 13 prillit një tjetër rival, Dominic Breazeale.
Por një rival i mundshëm për Joshua mund të jetë edhe fituesi që do të dalë nga sfida e 22 dhjetorit mes Dereck Chisora e Dillian Whyte.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.