Seanca e sotme e Kuvendit Komunal edhe një herë dëshmoi politikën shkatërruese të këtij pushteti të mbrapshtë lokal, pushteti të zënë ngushtë nga interesat grupore e individuale.
Jemi dëshmitarë të gjithë se javën e kaluar inspeksioni republikan në asistencë të pjesëtarëve të policisë mbyllën objektin e Shtëpisë së Kulturës, për shkak edhe të paaftësisë dhe injorancës së udhëheqësve të pushtetit lokal.
Në seancën e sotme pikë e rendit të ditës ishte edhe raporti i punës dhe plani vjetor i punës së Entit Parashkollor „8 Marsi“, i cili në fund pa asnjë arsye dhe vërejtje u votua kundër nga këshilltarët e shumicës udhëheqëse të pushtetit lokal.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur këshilltarët e PVD – së kërkojnë gati çdo seancë që institucionet ku themelues është Kuvendi Komunal, të dorëzojnë raportet e tyre vjetore, sidomos N.P. „Moravica“, në të cilën ka shkelje të mëdha dhe e cila gjatë fushatës zgjedhore ishte shëndrruar në sponzorin kryesor të APN.
Pikë tjetër e punimeve të seancës së Kuvendit Komunal ishte edhe RTV Presheva, mediumit të parë të themeluar në Luginë të Preshevës.
Ne si opozitë për më tepër se një vit e kritikuam Shqiprim Arifin, i cili vetëm për teket dhe inatet e tij personale ia ndërpreu financimin këtij mediumi. Arsyetimi i tij dhe i partnerit të tij të koalicionit ishte se pushteti lokal, e në veçanti Kuvendi Komunal nuk ka asnjë obligim ligjor ndaj RTV Presheva.
Futja në rend të ditës shkarkimin e drejtorit të RTV Presheva, pa emëruar një tjetër në vend të tij, e para e demanton vet arsyetimin e pushtetit lokal se nuk kanë asnjë obligim ndaj këtij institucioni, dhe e dyta se lënia vakant e pozitës së drejtorit të RTV Presheva është qëllim keq, me prapavij shkatërruese.
Jo pa qëllim më lartë e përmenda mbylljen e objektit të Shtëpisë së Kulturës nga inspeksioni republikan, sepse me të njejtën logjikë, madje edhe më të mbrapshtë, pushteti lokal po synon t’i degradojë, shkatërrojë dhe në fund t’i mbyll përgjithmonë institucionet të cilat me vështirësi gjeneratat e kaluara i themeluan.
Pra, degradimi, shkatërrimi dhe në fund mbyllja e institucioneve tona është synim i pushtetit qëndror, por tash përmes vasalëve të instaluar në pushtet lokal.

Ardita SINANI
kryetare e degës së PVD-së në Preshevë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.