Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit nga 30 ditë për tre të dyshuarit serbë, të cilët janë arrestuar dje në veriun e Mitrovicës nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, raporton KSP.
Kurse, tre avokatët e të dyshuarve kanë mohuar pretendimet e prokurorisë, duke thënë se nuk ka dëshmi se klientët e tyre kanë kryer vrasjen.
Pas përfundimet të seancës, prokurori Sylë Hoxha tha se kërkesën për paraburgim deri në tridhjetë ditë e ka bërë duke marrë parasysh provat që ai ka.
Sipas tij, ai ka një dyshim të bazuar dhe për këtë ka parashtruar të merret ky vendim. Ai theksoi se tashmë gjykata duhet të thotë fjalën e vet, ndërsa për sa kohë merret ky vendim, sipas tij varet prej gjyqtarit.
“Unë kam bërë kërkesë për masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve të cilët, siç jeni në dijeni dhe ju, dje janë arrestuar në Mitrovicë, këtë kërkesë e kam bërë duke marrë parasysh se kam prova për një dyshim të bazuar dhe kam kërkuar si masë të sigurisë, masën e paraburgimit me qëllim të rrjedhës normale të procedurës penale e cila po zhvillohet pas vrasjes së tani të ndjerit, Oliver Ivanoviq”, u shpreh Hoxha para se gjyqtari i procedurës paraprake të merrte vendimin.
Sa i përket provave, prokurori Sylë Hoxha shtoi se nuk mund të deklarohet sa të fuqishme janë ato, pasi kjo do ta pengonte procesin e hetimit.
Rreth orës 11:00 ka qenë e paraparë të fillojë seanca, mirëpo ajo është vonuar deri në orët e mbrëmjes. Sipas prokurorit Hoxha, kjo ka ndodhur pasi mbrojtësit e të pandehurve janë vonuar për shkak se ata është dashur të vijnë nga Mitrovica e veriut.
Të tre të dyshuarit janë sjellë nën masa të rrepta të sigurisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, konkretisht në Departamentin për Krime të Rënda.
Gjatë orëve të hershme të së premtes, Policia e Kosovës ka arrestuar në veri të Mitrovicës, tre persona të dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Personi i katërt është arrestuar si pasojë e pengimit të punës së policisë. Sipas, policisë fletarrest ka dhe për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radioçiq, mirëpo ai ka arritur të arratiset dhe është shpallur në kërkim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.