Pushteti lokal i Preshevës, nëpërmjet faqes së saj duke e sponzorizuar lajmin me mjetet e taksapaguesve tanë, si dhe nëpërmjet disa portaleve, pronarët e të cilave janë ngushtë të lidhur me udhëheqjen lokale, për të disatën ditë rresht promovuan asfaltimin e 2 km në rrugën lokale Buhiç – Ilincë.
E para që vlen të përmendet në gjithë këtë, është se shtrimi i rrugës në relacionin Buhiç – Ilincë – Maxhere – Ranatoc është futur si pozicion në buxhetin komunal në vitin 2017, në kohën kur në krye të komunës ishte Ardita Sinani. Më 07 shtator të vitit 2017 ishte bërë edhe tenderimi i kësaj rruge, mirëpo të gjithë qytetarët tanimë e dijnë se gjatë asaj periudhe Kuvendi Komunal ishte i bllokuar dhe se në shtator të po atij viti u emërua në organ të dhunshëm kryetari aktual i komunës, Shqiprim Arifi.
E dyta, që është paradoksi më i madh, pushteti aktual lokal, shtrimin e 2 km rrugë në mes të dimrit përmes telallëve të tij po na e paraqet si „projekt historik“ duke e paraqitur si investimin e parë në historinë e Karadakut!
Ua rikujtojmë udhëheqjes komunale, kryetarit të komunës, se shtrimi i rrugëve nëpër vendbanimet e komunës është përmbushje e një prej shumë obligimeve që pushtetet lokale kanë gjithkund në botë, andaj asfaltimi i 2 km rrugë kurrsesi nuk paraqet akt historik e posaçërisht kur dihet fakti se vite më parë është asfaltuar rruga për Shoshaj të Epërme që është me gjatësi shumë më të madhe. Ne e kuptojmë që në mungesë të projekteve serioze, në mungesë të fabrikave dhe krijimit të vendeve të reja të punës të premtuara në fushatë parazgjedhore, asfaltimi i një rruge mund të jetë sukses për ata, por nuk mund qytetarët e komunës së Preshevës e sidomos ata të zonës së Karadakut t’a llogarisin si historike.
Meqenëse kryetari aktual i komunës për një kohë të gjatë të jetës së tij nuk ka qenë fizikisht në komunën e Preshevës dhe pa dashje apo qëllimshëm i ka harruar, e shohim të udhës t’ia rikujtojmë disa nga investimet që janë bërë në periudhat e mëhershme, e që PVD asnjëherë nuk i quajti historike.
Në vitin 2001, në bashkëpunim me Agjensionin Zviceran për zhvillim, në zonën e Karadakut u ndërtuan 30 shtëpi me të gjitha kushtet për banim.
Në vitin 2003, me mjetet e buxhetit komunal, udhëheqja e atëhershme e komunës vendosi bazën e rrugës në komplet zonën e Karadakut, nga Buhiçi deri në Ranatoc duke e shtruar me zhavor dhe duke bërë drenazhimin e saj.
Në vitin 2004, në zonën e Karadakut u ndërtuan 28 shtëpi banimi me mjetet e buxhetit komunal.
Në vitin 2005, komuna e Preshevës ndihmoi me material ndërtimor me vler prej rreth 5.000 Eurove për secilën prej 12 shtëpive që u ndërtuan në komunën e Preshevës, e që shumica ishin në zonën e Karadakut.
Në periudhën 2001 – 2005 u ndërtua objekti i ri i shkollës në Ranatoc, u ndërtua objekti i ri i shkollës në Buhiç si dhe u rekonstrua objekti dhe është ndërtuar kulmi dhe u vendosën dritaret e reja në objektin e shkollës në Caravajkë.
Këto janë disa nga investimet në zonën e Karadakut, në kohën kur me pushtetin lokal ka udhëhequr Partia për Veprim Demokratik dhe me kryetar të komunës z. Riza Halimi, e të cilat as atëherë e as tash nuk i dham karakter historik.
Vlen të sqarojmë, se ky reagim nuk nënkupton që PVD është kundër këtij apo çfarëdo investimi që bëhet kudo në komunën e Preshevës, e sidomos në zonën e Karadakut. Mirëpo, është a patolerueshme tentativa që të paraqitet si investimi i parë në Karadak, e për banorët e asaj zone është shumë fyese kur asfaltimi i 2 km rrugë paraqitet si historik.

Preshevë, 06.12.2018
Këshilli për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.