Nga redaksia
Kur hymë në vitin që sapo e lamë pas, vitin 2018, qytetarët e Preshevës I kishte kapluar një shpresë dhe optimizëm I pa parë. Ndoshta jo të gjithë, por 7000 votuesit e Alternativës për Ndryshim dhe afër 3000 votuesit e fraksionit të ndarë nga Partia Demokratike Shqiptare e që më vonë u pagëzuan me Lëvizja për Reforma në PDSH, “fluturonin” me të drejtë nga optimizmi dhe shpresa se në qytetin e tyre (tonë) po bëhet mire, po lulëzojmë. Po themi se “fluturonin” me të drejtë pasi që ata më shumë se ne të tjerët I besuan premtimeve të shumta nga fushata parazgjedhore që kishte përfunduar në prag të Vitit të Ri. E si mos të ishin optimist kur u premtua hapja e vendeve të shumta të punës, depolitizim, drejtësi, zhvillim I hovshëm ekonomik, kthimi I Gjykatës dhe Prokurorisë, hapja e kufirit Miratoc-Llojan, etj etj. Por, tani kur ka kaluar mëse një vit nga koha kur dëgjuam këto premtime, kemi një realitet krejt ndryshe, realitet të hidhur. Vende të reja të punës nuk u hapën në vitin 2018, por u ballafaquam me largime të shumta nga puna të atyre që nuk I përkasin klikës qeverisëse në pushtet, mase njëzet familje të të punësuarve në Rtv Presheva u lanë pa paga nga po këta që premtuan hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa u punësuan një pjesë e mirë e këshilltarëve komunal nga radhët e pozitës dhe familjarë të tyre. Mungesa e vendeve të punës dhe depresioni i shkaktuar nga mungesa e shpresës se do bëhet mirë u pasua me shpërnguljen më të madhe se kurdoherë tjetër të të rinjve shqiptarë nga Presheva. Nuk ndodhi as hapja e kufirit dhe as kthimi I Gjykatës, por tani përsëri në prag të Vitit të Ri, u premtua se do të ndodh në vitin 2019. Ndoshta edhe ndodh, por është një dallim sepse tani këtyre premtimeve nuk I besojnë më 10000 qytetar por shumë më pak. Rikthimi i Gjykatës dhe Prokurorisë do ja shtonte Preshevës edhe dy institucione që para disa viteve Qeveria e Serbisë padrejtësisht I largoi, por qytetarët në fillimvitin e ri nuk e kanë më prioritet brengën e Gjykatës dhe Prokurorisë por se kur do të rihapen pesë institucionet komunale që u mbyllën në vitin e shpresës, në vitin 2018. Shtëpia e Kulturës, Biblioteka, Rtv Presheva, Zyra për të rinj, Teatri I Qytetit, madje edhe një subjekt politik, Partia Demokratike Shqiptare vazhdojnë të kenë dyert e bllombuara.
Por, viti 2018 nuk ishte krejt zi. Ishte Presidenti I Kosovës, z.Hashim Thaçi ai që u përkujdes që preshevarët dhe luginasit të kaplohen nga ndjenja e optimizmit. Sot, e tërë Lugina numëron ditët deri në ardhje të muajit prill, ndoshta maj, kur Luginës do ti realizohet ëndrra shekullore, bashkimi me trungun e vetë, me Kosovën. Muaji maj do të realizojë jo vetëm ëndrrën shqiptare, por edhe do zgjidhë çështjet e kufirit Miratoc-Llojan, Rtv Preshevës, Gjykatës e Prokurorisë, do ta bëjë fare të pa rëndësishëm shpërnguljen e shqiptarëve nga tokat e veta. e ç’është më e rëndësishmja, do zgjidhë çështjen e Lirisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Diese Website verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahren Sie mehr darüber, wie Ihre Kommentardaten verarbeitet werden .