EDHE „ZËRI“ I PRISHTINËS PUBLIKON LETRËN E HAPUR DREJTUAR METËS, RAMËS E RUÇIT NGA UGSH KUNDËR MBYLLJES SË „RTV PRESHEVA“

Kampanjës kundër angazhimit të pushtetit lokal të Preshevës për mbylljen e „RADIO TELEVIZIONIT PRESHEVA“, sot iu bashkangjit edhe „ZËRI“ i Prishtinës, duke publikuar letrën e hapur drejtuar Metës, Ramës dhe Ruçit.
Në këtë publikim të „ZËRI“ thuhet:

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, ditë më parë i është drejtuar me një letër të hapur presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit, Gramoz Ruçi, duke kërkuar nga këto të fundit që në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ndërhyjnë për mos lejuar mbylljen e Radiotelevizionit të Preshevës, raporton portali “Zëri.info”.
“Ditët e fundit për arsye financiare, në Luginën e Preshevës po mbyllet kompania mediatike më jetëgjatë dhe me kontribut historik për gjuhën dhe informimin shqip në rajonin ku jeton pakica shqiptare në Republikën e Serbisë. Ky është një lajm i hidhur dhe një akt privimi për shqiptarët në Luginë. Radio Televizioni Presheva ka kontribut historik në mbrojtje të gjuhës, traditave, identitetit dhe vlerave kombëtare shqiptare në rajonin e Luginës së Preshevës. Jo vetëm për tri komunat, por edhe për rajonin lindor të Kosovës”, thuhet në letrën e Çipës drejtuar tre krerëve të shtetit të Shqipërisë.
Sipas kreut të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, kohët e fundit për arsye të mosinvestimit financiar nga shteti serb dhe institucionet vendore të Luginës, si dhe për shkak të mungesës së gatishmërisë institucionale për ta mbajtur në veprimtari këtë kompani të medias publike, drejtuesit e saj kanë shpallur falimentin dhe gjithë stafi i punonjësve dhe gazetarëve po lihen në mëshirë të fatit.
”Nisur nga vlera e pazëvendësueshme, nga kontributi informues dhe misioni që ka kryer nëpër dekada kjo kompani, në cilësinë e drejtuesit të UGSH, kërkoj që institucionet e larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën e vendit të ndërhyjnë për mosmbylljen e kësaj medieje të rëndësishme publike në Luginën e Preshevës”, thuhet mes tjerash në letër.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në të njëjtën kohë u është drejtuar edhe të gjitha organizatave të gazetarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni si dhe në hapësirën ndërkombëtare të bëhen pjesë e fushatës për mosmbylljen e kompanisë së vetme të medias publike në Luginën e Preshevës. /Zëri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Diese Website verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahren Sie mehr darüber, wie Ihre Kommentardaten verarbeitet werden .