Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka thënë se Kosova duhet të ketë opsion të parë në bisedime me Serbinë, ridefinimin e kufijve, ndërsa si opsion rezervë të ketë reciprocitetin.
Në Express Intervistën në KTV, Murati ka thënë se fillimisht duhet të dihet se si do të jetë raporti përfundimtar me Serbinë për të kaluar në çështjet tjera të dialogut.
Ai ka thënë se duhet të ketë një lloj ridefinimi të kufirit në vija etnike mes dy shteteve.
Ka thënë se kjo temë duhet të merret më seriozisht, pasi tashmë është lejuar të hapet nga partnerët e Kosovës.
“Partnerët ishin dikur kundër ndryshimit të kufijve dhe ne kemi kërkuar reciprocitet. Tash ka ndërruar kjo sepse një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare ka lejuar të hapet tema. Andaj duhet të shpenzojmë energjinë në hartimin e një platforme për ridefinimin të kufijve”, ka thënë ai duke shtuar që kufiri të caktohet te fshatrat serbe në komunat veriore të Kosovës, e të cilat kanë vazhdimësi me shtetin serb, si dhe te Lugina e Preshevës me hapësirat shqiptare e që kanë vazhdimësi me shtetin e Kosovës.
Sipas Muratit, Kosova nëse dështon të merret vesh për kufijtë me Serbinë, duhet të kërkojë reciprocitet.
“Nuk duhet të lëshojmë momentin historik, pasi bashkësia ndërkombëtare tashmë e ka hapur si temë. Nuk është vetëm ridefinim, por edhe ndryshim i strukturës së Kosovës. Aktualisht jemi shtet jofunksional sepse çdo ndryshim kushtetues varet nga vetoja e pesëpërqindëshit. Shqiptarët në Maqedoni janë 30 për qind e nuk e kanë mundësinë që kanë serbët në Kosovë. Sot duhet të bëhet ridefinimi, e reciprociteti të jetë opsion rezervë. Nëse s’pajtohemi për kufijtë, atëherë reciprocitet. Këtu asociacion, në Luginë asociacion. 2/3 e votave nga minoritetet për ndryshime kushtetuese të kenë edhe shqiptarët në Serbi”.
Më tej, Murati ka thënë se nëse skena politike në vend nuk bashkohet rreth një qëndrimi për dialogun me Serbinë, mund të përballet me dokument nga “ata që i quajmë miq”. Sipas tij, ky dokument mund t’i sjellë dëme Kosovës më shumë se që mendohet.
“Jemi në momente shumë vendimtare për të zgjidhur probleme të rëndësishme, duke e ditur se mund të na vijë një dokument në një konferencë ndërkombëtare, dhe mund të jemi aq të papërgatitur e aq të përçarë sa që mund të pranojmë e të humbim më shumë në vend se të jemi bashkë që të vendosim bashkë objektiva”, ka shtuar ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Diese Website verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahren Sie mehr darüber, wie Ihre Kommentardaten verarbeitet werden .