Hoteli Grand, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, rregullisht shahet kur i bëhet recensioni në internet, shkruan The New York Times.
“I tmerrshëm”, “rrënojë” dhe “tmerr i vërtetë. Ndoshta më i keqi ku kam qëndruar ndonjëherë”, janë fjalët e përdorura për këtë hotel, thekson e përditshmja prestigjioze.
Por, menaxherët nuk duken të shqetësuar nga të sharat ‘online’, thotë NYT. Gazeta tregon se si “ata nuk pranojnë rezervime përmes internetit, e madje mezi ofrojnë qasje në internet; hoteli i tyre nuk ka as postë elektronike”.

“Shembull i opulencës moderne kur kjo pjesë e Ballkanit ishte ende pjesë e Jugosllavisë së dikurshme, Grandi, pronë e shtetit, ka marrë një teposhtë aq të madhe, saqë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zakonisht mbështetës i fortë i çdo gjëje që vendi ofron, e ka zor të gjejë ndonjë fjalë të mirë për ta thënë për të”, shkruan gazeta nga Nju-Jorku.

“Unë nuk mendoj se ai është hoteli më i keq në botë, por kjo për faktin se bota është shumë e madhe”, ka thënë Thaçi për NYT, duke shprehur mosbesimin e tij kur gazetari Andrew Higgins i kishte thënë se po qëndronte aty.

Menaxheri i përgjithshëm i Grandit, Rrahim Fazliu, ka pranuar se hoteli mbase më nuk e meriton vlerësimin prej pesë yjesh që e ka marrë kur është ndërtuar më 1978, shkruan NYT.

Gazeta tregon se ai ka vlerësuar se, “me pak ndryshime”, Grandi mund të bëhet “simbol i suksesit”, për një vend që, siç thotë NYT, “ende nuk po arrin të mbahet mirë, gati 20 vjet pasi një fushatë bombarduese e NATO’s theu kontrollin e Serbisë në rajonin e trazuar”.

Grandi është “pasqyrë e Kosovës”, ka thënë Fazliu për NYT. “Imazhi i pasqyruar këtu këto ditë është dukshëm më pak joshës se që ishte shpresuar, kur vendi kishte arritur lirinë më 1999”, shkruan gazeta njujorkeze.

NYT tregon se “shërbimi është minimal, por të mos thënë s’ekziton; holli prej mermeri kundërmon erë cigaresh; ndërsa shtrojat e gjelbra, që mbulojnë dyshemenë, janë me njolla e të grisura. Pastaj, ka edhe buba”.

Megjithatë, shkruan gazeta, Grandi meriton recensione më të mira sesa ato që i merr në internet. Dhomat, thotë NYT, mbahen relativisht të pastra, dhe ofrojnë ujë të ngrohtë, herë pas here.

Presidenti, i cili ka vetëm kujtime të këqija nga hoteli në të kaluarën, dhe të cilit i vjen keq për gjendjen e tij aktuale, ka plane të mëdha për të ardhmen e tij, shkruan gazeta.

“Mbase mund ta ndërtojmë një Kullë Trump këtu”, ka sugjeruar Thaçi.

NYT shkruan se Grandi është vënë në shitje më 2006, si pjesë e një programi për privatizimin e pronave të ish-Jugosllavisë.

“Ai është blerë nga një kompani e dyshimtë lokale, e cila ka paguar vetëm 8 milionë euro, por ka premtuar, si pjesë e marrëveshjes, se do të investojë edhe 20 milionë euro në të”, tregon NYT.

Investimi i premtuar kurrë nuk u bë, raporton e përditshmja njujorkeze, dhe më 2012 Agjencia Kosovare e Privatizimit anuloi shitjen – dhe i mbajti paratë që i mori.

“Planet për të gjetur një tjetër blerës më pas u frenuan në një betejë të gjatë ligjore, pasi Behgjet Pacolli, miliarder zviceran, me origjinë nga Kosova, i cili tani është ministër i Jashtëm i vendit, paralajmëroi se kompania e tij po e padiste qeverinë për shitjen e parë”, raporton NYT.

“Hoteli tani është në likuidim, dhe asetet e tij, që përfshijnë një koleksion të vlefshëm të artit modern, do të vihen në shitje ose do të çohen në ndonjë muze, në mënyrë që të mund të gjendet një blerës i ri, dhe që hoteli të rinovohet prej zeros”, shkruan gazeta.

Pacolli, thotë NYT, vlerëson se për ta bërë Grandin madhështor përsëri, do të duhen të paktën 50 milionë euro.

Ky hotel, sipas tij, mbase nuk është më i keqi në botë, por gjendet nga fundi. “Është vërtet i tmerrshëm”, ka thënë ai për NYT. “Si mund të qëndrosh aty? Si mund të rrijë dikush aty?”, ka pyetur ai./www.rtvpresheva.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Diese Website verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahren Sie mehr darüber, wie Ihre Kommentardaten verarbeitet werden .