Djaloshi që mbeti pa operuar për 1.000 euro

Një natë të ftohtë dimri, një djalosh që po ngiste veturën me shpejtësi të madhe, në një moment humbi kontrollin e makinës dhe doli nga rruga, duke u rrokullisur disa herë me radhë. Një makinë tjetër që po shkonte prapa së aksidentuarës, u ndal që t’i ndihmonte të aksidentuarit.

Në këtë makinë ishte vetëm një grua, e cila me vështirësi të madhe e ngarkoi në makinën e saj ngasësin e makinës së aksidentuar – një djalë të ri, të përgjakur gjithandej. Shkoi drejt e në spital me shpejtësi të madhe. Atje e morën infermierët dhe e dërguan në sallën e operimit. Kirurgu nuk ishte aty në atë kohë dhe i telefonuan që të vinte urgjent në spital.

Kur arriti në spital mjeku kërkoi të dinte se kush ishte i aksidentuari. I treguan për zonjën që e kishte sjellur në spital, kurse mjeku pa pikë turpi i tha asaj:

– Duhen një mijë euro, përndryshe nuk shkoj në sallë.

Gruas i vinte inat që t’i thoshte se nuk e njihte të aksidentuarin, por vazhdoi me lutje që të fillonte me operacionin, derisa ajo të shkonte t’i merrte paratë në shtëpi, sepse nuk i kishte me veti një mijë euro.

Kjo u nis menjëherë për në shtëpi që t’i merrte një mijë euro e t’ia sillte mjekut për operacion, kurse mjeku nuk u ngjit në sallë deri sa u sigurua mirë me një bisedë telefonike me te, se ajo ishte në rrugë e sipër duke ia sjellur paratë e kërkuara atij.

Kur shkoi ky në sallë, u trondit nga pamja – i aksidentuari ishte vetë i biri i tij. Ai tashmë kishte humbur shumë gjak dhe gjakderdhja e brendshme ngadalë po ia zinte frymën e po ia errësonte pamjen.

Kur arriti gruaja me paret në dorë, dëgjoi të pranishmit në koridorin e spitalit duke pëshpëritur se djali kishte vdekur dhe se i vdekuri kishte qenë pikërisht i biri i mjekut kirurg.

Kjo e priti mjekun gjatë nëpër koridoret e spitalit deri sa e takoi atë. Kur e pa që doli nga salla e operacionit, ia afroi një mijë eurot e kërkuara. Mjeku me lotë në sy i refuzoi ato duke mohuar e duke ulur kokën përdhe, mirëpo kjo ia hodhi fytyrës paratë, duke i thënë:

– Merri, se mund të të duhen për varrimin e të birit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Diese Website verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahren Sie mehr darüber, wie Ihre Kommentardaten verarbeitet werden .