Ditën e Enjte, me datë 22.03.2018, është nata e madhe e Regaibit.
Për të gjithë ata që duan ta përcjellin këtë ditë me agjërim, Syfyri mbyllet në orën 04:00 ndërsa Iftari hapet në orën 18:05.
Falja e namazit të Akshamit do të bëhet në xhami, ku do të mbahet ligjëratë fetare për nder të kësaj nate. Programi fillon në ora 18:05 me faljen e namazit të Akshamit.

Nata e mirë Regaib, sipas kalendarit hënor, bie natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte dhe të premte) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i tre muajve të mirë.
Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy net puqen bashkë nata atëherë bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat e mëdha që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit të Ramazanit. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatije shpirtërore dhe e drejton veten e tij drejt adhurimeve, përgjegjësive individuale dhe familjare duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.
Allahu në natën e Regaibit u jep muslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet dhe pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të mëdha e të shumta. Pejgamberi ynë i nderuar në një hadith të transmetuar nga Enesi, r.a., thotë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar në natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse melaqet e asaj nate i kanë vënë emrin Regaib!”
Ndërsa në disa thënie të tjera, për rëndësinë e kësaj nate, Pejgamberi Muhammed, s.a.v.s, thotë: “Ai që e vlerëson natën e Xhumasë së parë të muajit Rexhep (nata e Regaibit), Allahu i Madhëruar nuk e dënon në varr.” (Saadet-i Ebedije)
“Lutja që bëhet në këto pesë netë nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, të Xhumanë, natën e Bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit”. /www.rtvpresheva.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.