“Kemi marrë urdhër nga presidenti Aleksandar Vuçiç që të fillojmë të gjitha përgatitjet dhe procedurat për thirrjen e seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara lidhur me situatën në Kosovë”.
Kështu ka deklaruar drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
“Është çështje ditësh se kur do ta dërgojmë kërkesën dhe kur do të mbahet ajo seancë”, ka shtuar ai.
Deklaratat e Petkoviç-it kanë ardhur pasi Prokuroria Speciale e Kosovës, të mërkurën, njoftoi se i ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.
“Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se për çfarë krime lufte akuzohen ata.
Duke i komentuar këto arrestime, Petkoviç pretendoi, “se arrestimet e serbëve nga Kosova janë kryer vetëm me urdhër të Albin Kurtit”, i cili, siç tha ai, “dëshiron të dëbojë serbët nga Kosova”.
“Në Zveçan, policia ka bllokuar tërë Zveçanin dhe më pas ka arrestuar babanë e tre fëmijëve dhe e ka çuar në drejtim të Prishtinës. Ata arrestuan edhe një serb të tretë, një burrë 73-vjeçar. Ai literalisht u rrëmbye”, tha Petkoviç.

