Pak ditë më parë lajmi për shkarkimin e kryetarit të komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi u publikua thuajse copy-paste në shumë media shqiptare ku mbizotëroi titulli: “Vuçiç shkarkon kryetarin e komunës së Preshevës”. Por një verifikim i Faktoje tregoi se raportimi u servir në formën e një narrative dezinformuese. Shumica e mediave iu referuan vetëm postimit të zotit Arifi, pa marrë në konsideratë burimet e tjera për të verifikuar lajmin.
Shkruan: Jona Plumbi, gazetare nga Tirana
Kryetari i fundit i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, akuzoi autoritetet në Beograd për largim “të dhunshëm” si dhe “diskriminim të shqiptarëve”.
Lajmi u pasqyrua gjerësisht nga mediat shqipfolëse. Pjesa më e madhe e tyre cituan deklaratën e Arifit, të publikuar në rrjetin social Facebook.
“Duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviçit të viteve të 90 ta, në mënyrë të dhunshme më shkarkuan nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës”, – cituan mediat.
Lajmi mori forma të ndryshme akuzash ndaj arsyes se përse Arifi ishte shkarkuar, duke aluduar nga përfshirja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në këtë proces, deri tek arsyetimi se shkarkimi kishte ardhur për shkak të shfaqjes së flamurit shqiptar në komunën e Preshevës.
Në mungesë të kontekstit ky informacion të bën të mendosh se ka qënë Aleksandar Vuçiç ai që ka shkarkuar Shqiprim Arifin, për shkak se ky i fundit ka ngritur flamurin shqiptar në godinën e komunës, apo se ky i fundit ka kritikuar Kurtin.
Raportimi i njëanshëm i akuzave, veçanërisht atyre politike, shpesh çon në keqkuptime të thella.
Pak kontekst i jep një tjetër kuptim situatës. Një pikënisje e mirë është vetë ligji për vetëqeverisjen vendore në Serbi, që shpjegon mënyrën sesi zgjidhet kryetari i komunës.
Në Serbi, kryetarët e qyteteve apo komunave nuk zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Procedura funksionon kështu: Në zgjedhjet lokale qytetarët në Serbi votojnë për të zgjedhur asamblenë e qytetit apo komunës. Më pas është kjo asamble ajo që zgjedh kryetarin e saj. I zgjedhuri konsiderohet si kryetar i qytetit apo komunës.
Pra, qeveria e Serbisë, e përfaqësuar nga kryetari i asamblesë kombëtare, është përgjegjëse për shpalljen e zgjedhjeve lokale, në një anë, si dhe shpërberjen e asamblesë parlamentare locale.
Kjo përcaktohet në nenin 86 të Ligjit për qeverisjen lokale (Zakon o lokalnoj samoupravi).


Ajo që ka ndodhur është se pasi janë shpallur zgjedhjet e reja për Beogradin dhe shumë komuna të tjera për në datën 2 qershor, Shqiprim Arifi është një nga zyrtarët që humbi postin pas shkrirjes së asamblesë parlamentare të komunës.
Këto komuna dhe qytete do të drejtohen nga një qeveri teknike deri në zgjedhjen e një asambleje të re të dalë nga votimet e pritshme të qershorit.
Në anën tjetër, Ragmi Mustafa, i cili është emëruar nga Qeveria e Serbisë si kryetar i Autoritetit të Përkohshëm që do të drejtojë Preshevën deri në mbajtjen e zgjedhjeve, thotë se Kuvendi vendor i Preshevës nuk ishte mbledhur prej korrikut 2023 dhe se kjo është arsyeja e shpërbërjes së tij.
“Koalicioni i mëparshëm i mbledhur rreth Alternativës për Ndryshim të Shqiprim Arifit e humbi shumicën në Kuvend dhe për nëntë muaj nuk mund të thërrasë asnjë seancë”, tha Ragmi Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Në vendimin e qeverisë së Serbisë për shpërndarjen e Kuvendit të Preshevës, të publikuar në fletoren zyrtare të datës 19 prill, thuhet se qeveria i është referuar pikërisht nenit 86 të sipërcituar, si dhe nenit 85 paragrafi 1 ku thuhet se kuvendi lokal mund të shpërndahet nëse nuk mblidhet më shumë se tre muaj.
Arifi, deri tani, nuk e ka kundërshtuar këtë pretendim të qeverisë serbe.
Pavarësisht qëndrimeve të politikanëve, mediat kanë për mision dhënien e informacionit të plotë dhe të vërtetë. Kjo pamundësohet kur raportimi limitohet në pasqyrimin e njërës anë, duke mos dhënë kontekstin ku zhvillohet ngjarja, apo edhe qëndrimin e palës tjetër.
Rasti i shkarkimit të kryetarit të komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi është një shembull i faktit se në mungesë të kontekstit dhe ofrimit të njohurive të plota mbi rastin, informacioni mund të sjellë keqkuptim tek lexuesit.

