I zhvilluar nën pushtimin fashist italian, i riemërtuar “Qyteti Stalin” në komunizëm dhe i dënuar me varfëri me kalimin në kapitalizëm, qyteti shqiptar i Kuçovës do të bëhet tashmë sinonim i NATO-s.
Tre vjet pasi aleanca ushtarake perëndimore njoftoi një rindërtim prej 51 milionë eurosh të bazës ajrore të Kuçovës, puna ka filluar seriozisht me synimin që baza e epokës komuniste të luajë një rol të rëndësishëm në operacionet e aleancës.
NATO thotë se rindërtimi do ta sjellë bazën – dikur shtëpi e avionëve luftarakë MiG të prodhimit sovjetik dhe kinez – në standardet e aleancës duke rinovuar pistat, rrugët lidhëse dhe objektet e magazinimit.
Kjo shënon mishërimin e fundit të një baze të ndërtuar me punë të detyruar në vitet 1950 si një mjet qendror mbrojtjeje kundër armiqve që diktatori paranojak Enver Hoxha shihte përreth. Komunizmi u rrëzua tre dekada më parë, flota e MiG-ve u tërhoq në vitin 2005 dhe Shqipëria u bashkua me NATO-n në 2009.
“Mendonim se kishim avionët më të mirë ushtarakë atëherë”, kujton Guri Pashaj, një inxhinier që punonte në bazë midis viteve 1968 dhe 1990, “por gjatë një udhëtimi në Marok ndërsa studioja për marrëdhënie ndërkombëtare në Romë në 1995 pashë MiG-15 dhe MiG-17 mbaheshin në një muze.”
Adrian Shtuni, një specialist i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington, tha se rindërtimi i bazës ishte një lajm pozitiv për rajonin.
“Transformimi i bazës së Kuçovës në një bazë ajrore taktike të dislokueshme të NATO-s është një lajm i mirë për sigurinë dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit në kohë shumë të trazuara përsa i përket sigurisë në Evropë”, tha Shtuni për BIRN.
“Ne kishim shumë armiq”
Sipas historianit Kastriot Dervishi, rreth 2,000 të burgosur – mes tyre të burgosur politikë – punuan në ndërtimin e bazës ajrore në fillim të viteve 1950.
Sekreti ishte parësor dhe pilotët dhe stafi mbështetës mbaheshin në gatishmëri të lartë kundër një sulmi armik që Hoxha e shihte gjithmonë si të pashmangshëm.
I pyetur se sa avionë kishte dikur baza, taksisti nga Kuçova, Ali Hasani, i cili dikur punonte si shofer në bazë, tha për BIRN: “Këto ishin sekrete ushtarake.”
“Ne kishim shumë armiq, por nuk arritëm të shihnim se cilët ishin armiqtë. Ata na thoshin kështu, dhe ne duhej të qëndronim në gatishmërinë. Gatishmëria numër dy do të thoshte të flinim me pilotët.”
Hasani e kujton Kuçovën e asaj kohe si një qytet të mbushur me jetë, shtëpi e oficerëve ushtarakë dhe punëtorëve të naftës.
“Pilotët e parë erdhën të gjithë nga Rusia”, tha banori i Kuçovës Muharrem Daja, ndërsa pilotët shqiptarë përfunduan trajnimin e tyre në Bashkimin Sovjetik.
Daja kujton blloqet e kuqe të banimit që ishin ndërtuar për pilotët dhe ato të bardha për oficerët. “Ata ishin disi të privilegjuar në atë kohë”, tha ai.

