Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duket se ka mbështetur idenë e vazhdimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivelin e krerëve të shtetit. Në një shkrim në të përditshmen Blic, Vuçiç shkruan se është momenti që të ketë bisedime, ndërsa thekson rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke shmangur konfliktin. Sipas tij, kjo është rruga e vetme që mund të dërgojë Serbinë dhe rajonin drejt një të ardhmeje më të sigurt, me ekonomi të fortë dhe prosperitet.
Ideja e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit nëpërmjet diskutimeve në nivel presidencial, duket se po mbështetet edhe nga Presidenti, Aleksandër Vuçiç, i cili shkrimin e tij të fundit për të përditshmen serbe Blic, e nis me titullin: “Ja pse na duhet dialogu i brendshëm me Kosovën”.
Kreu i shtetit serb ka arsyetuar se është mjaft e rëndësishme që të ketë një vijim të bisedimeve me qëllim që dhuna të mos jetë më një opsion për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Sipas Vuçiç, Serbia i ka vuajtur shumë pasojat e luftërave dhe se duhet të gjendet një rrugë për një të ardhme paqësore dhe me prosperitet për rajonin.
“Në mënyrë që progresi ynë të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm, ne duhet të paktën të përpiqemi që të zgjodhim nyjen e Kosovës. Ne nuk duhet të fshihemi dhe t’ua lëmë barrën fëmijëve tanë. Është koha që Serbia të mendojë dhe të fitojë. Është e rëndësishme që fitorja të vijë pa konfklikt dhe unë besoj se ne mund t’a arrijmë diçka të tillë. Nëse do ndjekim këtë rrugë, e ardhmja jonë drejt BE-së do të jetë e sigurt.”
Më tej, Vuçiç shtoi se Serbia pagoi më shumë se të gjithë për luftërat dhe se tashmë duhet të shqyrtohet çdo mundësi për të zhvilluar edhe më tej vendin.
Sipas tij, deri para tre vitesh, shteti serb po shkonte drejt falimentit, por sot ka një rritje të konsiderueshme ekonomike, buxhet më të madh si dhe pritshmëri të larta nga qytetarët.
Kreu i Shtetit serb shkroi në mbyllje se Serbia do të vërtetojë që nuk fiton vetëm në ndeshjet e basketbollit, por edhe në politikë apo ekonomi./rtvpresheva.com/
“Zbutet” Vuçiçi: Ja pse na duhet dialogu i brendshëm me Kosovën
Date:

