Këshilli Kombëtar Hungarez, në Suboticë gjatë ditës së djeshme ishte nikoqir i përfaqësuesëve nga Këshilli Kombëtar shqipëtar si dhe përfaqësuesëve të OSBE-së, sektorit të pakicave nacionale. Këta të fundit njëherit ishin edhe organizator të këtij takimi.

Gjatë këtij takimi pune, nikoqirët kanë informuar musafirët nga Lugina e Preshevës lidhur me aktivitetet e tyre, bashkëpunimin e tyre me institucionet krahinore të Vojvodinës dhe ato lokale si dhe ushtrimin e kompetencave të dhëna nga legjislativi. Me këtë rast ata u njoftuan për së afërmi me punën e Këshillit Kombëtar Hungarez, të arriturat e tyre në sferat të cilat janë kompetencë e këtij Këshilli si dhe me problemet me të cilat po ballafaqohen.

Musafirët nga Lugina fillimisht u përshëndetën nga Kryetari i Këshillit kombëtar të hungarezëve të Vojvodinës, Jene Hajnal i cili pasi falenderoi organizatorin e këtij takimi, Misionin e OSBE-së në Serbi, tha se prezenca e përfaqësuesve të KKSH sot këtu në selinë tone, dëshmon edhe një herë se interesi i pakicave nacionale është i njejtë për të gjithë dhe se bashkëpunimi jonë patjetër se do të sjell edhe rezultate për bashkombasit tanë.
Mëpas, delegacionin e Këshillit kombëtar shqiptar e përshëndeti edhe Kryetari i Lidhjes së hungarezëve të Vojvodinës, Ishtvan Pastor i cili u dëshiroi mirëseardhje dhe përshëndeti organizimin e këtij takimi, duke potencuar se vetëm kësisoj pakicat nacionale do të mund të jenë më të suksesshme në realizimin e kërkesave të tyre, pra kur ato bashkojnë forcat dhe përvojat.

Pasdite, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar shqipëtar vizituan Shtëpinë e Medias Pannon në Suboticë, e cila është në kuadër të Fondacionit të Këshillit Kombëtar hungarez, ku u takuan me Drejtorin e kësaj kompanie mediale, Ishtvan Boxhoni si dhe të punësuarit në te. Gjatë këtij takimi ata u njoftuan për së afërmi me punën e kësaj kompanie mediale si dhe vizituan nga afër lokalet e punës.
Drejtori i kësaj shtëpie informative para musafirëve nga Lugina e Preshevës paraqiti Fondacionin, duke potencuar se ai ka dy radio stacione dhe një kanal televiziv si dhe të përditshmen “Magyar szo”, një revistë javore dhe të tjera. Ai poashtu bëri me dije se ishte anëtar i grupit të punës së përgatitjes së planit strategjik për media, drafti i së cilës është përfunduar kohëve të fundit dhe i cili pritet që të aprovohet nga ana e Qeverisë së Serbisë, edhe pse nuk shpreson shumë se një gjë e tillë do të ndodh.
Sipas tij, me këtë plan strategjik funksionimi i mediave, sidomos atyre lokale, do të bëhej më i lehtë.
Rozalia Okres, drejtoreshë e “Magyar szo” para musafirëve tha se “gazeta jonë e përditshme është një nga shtyllat më të rëndësishme të ruajtjes së identitetit kombëtar të hungarezëve të Vojvodinës”.
Varju Marta, kryeredaktor e të përditshmes “Magyar szo” (“Fjala hungareze”) tha se kjo e përditshme ka mbushur 73 vjet që kur është në duar të lexuesve të saj dhe se ka arritur të fitoj prestigj tek popullata hungareze e këtij rajoni. Ajo poashtu shtoi se kjo gazetë përveç sukseseve tjera ka arritur të krijoj edhe kapitalin intelektual – ngritjen e shumë gazetarëve për media të tjera, botim librash, takime me gazetar, lexues etj./www.rtvpresheva.com/

