Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi i ka shkruar letër zyrtarëve të Bashimit Evropian në Serbi duke shprehur shqetësimin për mospërfshirjen e Luginës së Preshevës në agjendën e vizitës zyrtare të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, znj. Kaja Kallas gjatë qëndrimit të saj, javën e kaluar në rajon.
Rexhepi ka kritikuar mosvizitën e zonjës Kallas në Luginë ku të drejtat e shiptarëve cenohen çdo ditë
“Mungesa e një vizite në një rajon ku shumica e popullsisë janë shqiptarë dhe ku çdo ditë shkeljet e të drejtave të njeriut dokumentohen nga vetë institucionet evropiane, nuk duhet të vazhdojë ende nga Përfaqësues të lartë të BE-së! 𝐏𝐚𝐬𝐢𝐯𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐚𝐝𝐫𝐞𝐬𝐚𝐯𝐞, një praktikë e raportuar edhe nga vet Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian, ka lënë mijëra shqiptarë pa të drejtë vote, pa qasje në shërbime publike dhe të përjashtuar nga jeta institucionale, pra i ka fshirë, sikur të mos ekzistonin më” ka shkruar në letrën drejtuar zyrtarëve të BE-së në Serbi, kryetari Enkel Rexhepi
Rexhepi ka shprehur indinjatën e tij pasi që anashkalime të tilla nuk i bëhen edhe serbëve të veriut të Kosovës por vetëm shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Edhe kësaj radhe, u vizitua Veriu e Kosovës për të dëgjuar zërin e serbëve atje, pavarësisht se në shumë sfera atje gëzohen të drejta përtej standardeve evropiane.
Në anën tjetër, pse nuk ka vizita të ngjashme edhe të dëgjohet zëri i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?
Trajtimi i pakicave nuk mund të jetë selektiv.Nuk mund të ketë standarde të dyfishta për të drejtat e njeriut.Bazuar në këto, kërkuam që BE të mos e anashkalojë më Luginën e Preshevës dhe që vizitat zyrtare të përfshijnë edhe rajonin tonë, aty ku shkeljet nuk janë thjesht shqetësime, por përditshmëri” ka përfunduar Enkel Rexhepi

