Mbledhja e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, nuk do të mbahet më 24 prill, siç është bërë e ditur më herët.
Arsyet zyrtare të këtij vendimi, që më tepër se nga Tirana, është nxitur nga Prishtina, nuk janë bërë të ditura.
Por, lajmin e mosmbajtjes së takimit të madh të Vlorës e kanë konfirmuar disa burime për klankosova.tv.
“Zyra e kryeministrit ka propozuar një datë tjetër, më të përshtatshme se 24 prilli”, ka thënë një burim nga Qeveria e Kosovës, që është deklaruar në kushte anonimiteti.
“Arsyetimi ka qenë se bëhet fjalë për agjendë të ngjeshur të kryeministrit”, ka thënë ky burim.
Asnjëri nga këshilltarët e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, e as zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, e as shefja e kabinetit, Vlora Dumoshi, nuk janë deklaruar për këtë çështje.
Mosmbajtja e takimit të dy qeverive më 24 prill është konfirmuar edhe nga Tirana.
“Jemi në konsultime për ta gjetur një datë tjetër për mbledhjen e dy qeverive”, ka thënë një burim nga qeveria shqiptare.
“Besoj që ditëve në vazhdim do të jemi në gjendje ta tregojmë datën kur potencialisht mund të mbahet takimi i ri”.
Thuhet se më 24 prill Kuvendi i Republikës do ta ketë në rend dite miratimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi./rtvpresheva.com/

