Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është larguar nga takimi në Bruksel, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon bisedimet me zyrtarët evropianë. Vuçiq ka thënë se në këto bisedime nuk është arritur asnjë marrëveshje me Kosovën për çështjen e targave
Siç mëson Radio Evropa e Lirë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është parë duke dalë nga takimi në Bruksel, ndërkaq Kurti po vazhdon bisedimet me zyrtarët evropianë.
Me ndërmjetësimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, Kurti dhe Vuçiq u takuan të hënën për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë – çështje kjo që ka rritur tensionet mes dy vendeve.
Vuçiq, tha se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e targave, nuk është arritur asnjë marrëveshje.
“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.
Megjithatë, shtoi ai, pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.
“Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, e që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha Vuçiq.
“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha ai dhe shtoi se Serbia “do t’i qëndrojë pranë popullit serb” në Kosovë.

