“(Sllobodan) Millosheviçi kishte një ‘opozitë të preferuar’, ai ishte (Vojisllav) Shesheli. Ky term tregonte një politikan që dukej se po e kundërshton, por në një mënyrë të atillë që mos e dëmtojë, por të përfitojë nga performanca e tij”.
Kështu e ka përshkruar politikën e Dritan Abazoviç-it ndaj Rusisë, anëtari i kryesisë nga Partia Demokratike e Socalistëve (DPS), Nikola Divanoviç.
“Kryeministri Abazoviç përdor taktika të ngjashme për të kundërshtuar Kremlinin dhe politikën strategjike të Rusisë ndaj Malit të Zi”.
Divanoviç duke folur për tre zyrtarët instituconalë të Malit të Zi të cilëve iu ndalua hyrja në Rusi për shkak të operacionit për zbulimin e spiunazhit rus, ai theksoi se “përputhja e listave të kundërshtarëve politikë të Abazoviç-it dhe të Kremlinit, është vetëm një detaj i ri që e bën fotografinë më të qartë”.
“Pra, kryeministri është ende i mirëpritur në Moskë, por ministrat e tij jo. Dhe pse të mos jetë ai kur atë që Kremlini e bën me sy, Abazoviç e bën me një kërcim”, shtoi tutje ai, transmeton mediumi malazez “Dan”.
Të premten e 14 tetorit, Rusia ia ndaloi hyrjen në territorin e saj, Ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, Ministrit të Mbrojtjes Rashko Konjeviç dhe ish-shefit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANB), Sava Kentera.
Ndryshe, më 29 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme në Malin e Zi, shpalli gjashtë diplomatë rusë persona non-grata.
Sipas njoftimit të MPJ-së malazeze në rrjetin social Twitter, kjo është bërë për shkak të aktiviteteve që bien ndesh me Konventën e Vjenës, e cila përcakton një kornizë për marrëdhëniet diplomatike midis vendeve të pavarura.
Një ditë më vonë, autoritetet në Mal të Zi kishin arrestuar një ish-zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili dyshohej se për shumë vjet ka punuar në shërbim të inteligjencës ruse.
Prokuroria Speciale e Shtetit, në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare në një aksion kishin arrestuar Radomir Sekuloviç, i dyshuar për shërbim ndaj inteligjencës ruse dhe se ka qenë kreu i një grupi që dërgonte informacione konfidenciale në Moskë.