Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje në Kosovë nëse kërkohet.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar Mbrojtjen britanike.
Një betejë midis policisë dhe serbëve të armatosur të strehuar në një manastir e ktheu një fshat të qetë në veri të Kosovës në një zonë lufte në fillim të kësaj jave, shkruan në vijim agjencia britanike.
“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Wales-it – një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) – në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
Këshilli i Atlantikut të Veriut në mbledhjen e 29 shtatorit, diskutuan me aleatët për situatën në Kosovë duke u shprehur të shqetësuar për tensionet që janë rritur në Veri.
Përmes një komunikate të lëshuar nga NATO-ja u vërejt se janë shtuar forcat në pjesën e Veriut pas situatës së 24 shtatorit në Banjskë.
“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut, autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale. Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”, shkruhej në njoftimin zyrtar.
Po ashtu është thënë se KFOR-i, vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët e interesit në Beograd dhe në Prishtinë, e po ashtu me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE dhe misionin e OKB-së në Kosovë.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, përmbyllej reagimi i Aleancës.