Më 30 janar 2026, organizata “Informohu” me seli në Preshevë mbajti ekspozitën e veshjeve tradicionale të tri komuniteteve që jetojnë në një mjedis të përbashkët(komuniteti Romë,Serb,Shqiptar).
Ky aktivitet u mirëprit shumë nga të gjitha komunitetet dhe u vlerësua si një urë lidhëse mes tyre.
Tubimin e hapi kryetari i organizatës, Fatlum Osmani, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit dhe shpalli të hapur ekspozitën, duke shprehur mirënjohje të veçantë për Ministrin për Pajtimin, Bashkëpunimin Rajonal dhe Stabilitet Shoqëror, z. Usame Zukorlić, për mbështetjen e dhënë.
Më pas, fjalën e mori përfaqësuesi i komunitetit rom në Preshevë, z. Safet Osmanoviq, i cili falënderoi organizatorin dhe financuesin për realizimin e këtij projekti të qëlluar. Ai theksoi në veçanti se ishte hera e parë që në Komunën e Preshevës u jepej hapësirë romëve të flisnin në gjuhën rome, në prani të komuniteteve të tjera.
Pas tij, për një përshkrim sociologjik të situatës, u ftua sociologu Shkëlzen Limani, i cili potencoi se këto komunitete kanë jetuar gjithmonë në harmoni të plotë.
Në fund, recituesja nga Bujanoci, Ajana Ebibi, interpretoi një vjershë kushtuar kombit shqiptar.










