REAGIM NDAJ SHPIFJEVE TË SHQIPRIM ARIFIT LIDHUR ME NDARJEN E SUBVENCIONEVE NË BUJQËSI SI DHE NDËRMARRJE TË VOGLA E TË MESME
Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës,
Jeni dëshmitarë se ditëve të fundit kryetari i instaluar me zarf nga Beogradi në disa dalje publike më ka akuzuar mua se në ndarjen e subvencioneve në bujqësi dhe ndërmarrje të mesme e të vogla ka pasur keqpërdorime dhe shkelje. Vlen të theksohet se e gjithë kjo farsë politike e Shqiprim Arifit vjen pas frikës që e ka kapluar nga konkurenca në garën e ardhshme politike.
Po e them farsë, sepse Ju e mbani mend shumë mirë Shqiprim Arifin dhe deklaratat e tij parazgjedhore që hapi i parë i tij si kryetar komune pas zgjedhjeve të prillit 2016, do të jetë formimi i komisioneve për zbardhjen e keqpërdorimeve të pushtetit mbi 10 vjeçar të PDSH-së dhe Ragmi Mustafës. Numrin e këtyre komisioneve, dhe “faktet” rreth këtyre keqpërdorimeve Ju sot i dini shumë mirë, asnjë hetim i vetëm.
Nga paniku, ai sot është në gjendje frustruese dhe përdorë edhe kërcënimet përmes njerëzve të vet me mesazhin se unë do të përballem me padi penale dhe me burgim. Ju që më njihni mua dhe historinë familjare e dini se paraardhësit e e mi janë përballur me kërcënime dhe burgosje nga shteti. Ajo që sot është paradoksi më i madh është se të njejtat mjete, e njejta formë po përsëritet por kësaj rradhe nga një shqiptar i instaluar direkt nga shteti dhe qeveria serbe. Këto tentime për njollosje dhe diskreditim do të jenë përpëlitjet e tij të fundit, sepse unë jam e njohur për popullatën, kurse e kaluara e tij është enigmatike por tani ka filluar të del në shesh fytyra e tij e vërtetë dhe qëllimet e tij të mbrapshta.
Në mungesë të argumenteve për këto “keqpërdorime” të miat ai nuk ka guxim që këtë padi penale ta bëjë vetë në emrin e tij, por mundohet që të përfitojë nga aplikuesit që nuk kanë arritur të jenë në listën e përfituesve të subvencioneve, duke u munduar që ata t’i përdorë si mjet për arritjen e qëllimeve të tij.
Vlen të theksohet se në mandatin e tij afro 10 mujor, Shqiprim Arifi nuk ka formuar komisione për ndarjen e subvencioneve as në ekonomi të vogël, e as në bujqësi. Pas ardhjes time në krye të komunës, formimi i këtyre dy komisioneve është bërë në ditët e para. Unë me formimin e këtyre dy komisioneve, synim e kam pasur që ndihma t’i ndahen bujqëve dhe afaristëve vendor e nuk kam pasur asnjëherë synim të jem pjesë e projekteve të dyshimta me raporte korruptive siç është rruga e Karposhit.
Në të njejtën kohë, qëllimi im ka qenë që përfituesit e subvencioneve të mos zgjidhen me kriterin e përkatësisë partiake. Gjithashtu nga 335 aplikues në konkursin për ndarjen e mjeteve në bujqësi, janë përzgjedhur 150 për aq sa ka pasur mjete në buxhet, me idenë që vitin e ardhshëm përparësi të kenë ata që nuk kanë përfituar këtë vit dhe ata që do t’i plotësojnë kriteret e caktuara nga komisioni.
Sa i përket komisionit për ndarjen e subvencioneve në ekonomi të vogla dhe të mesme, vlen të përmendet se nuk është refuzuar asnjë nga aplikuesit, sepse ka pasur mjete në buxhet për këtë dedikim.
Për hirë të mos cenimit të privatësisë, unë nuk do t’i publikoj emrat e përfituesve, por do t’ia bëjë me dije opinionit dhe sidomos Shqiprim Arifit dhe veglave të tij, që unë jam e gatshme të përballem me drejtësinë.
Me respekt, Ardita SINANI
Sinani: Kërcënimet me burgim nuk më frikësojn
Date:

