TELEGRAM NGUSHËLLIMI I KRYETARIT TË PVD-së, RIZA HALIMI
Kryesisë dhe anëtarësisë së
Lëvizjes së Progresit Demokratik
Bujanoc
Pranoni ngushëllimet më të sinqerta me rastin e vdekjes së parakohshme të kryetarit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, njëkohësisht kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe kryetarit të Kuvendit komunal të Bujanocit, Jonuz Musliut.
Vdekja na ndan pamëshirshëm nga veprimtari i paepur i çështjes kombëtare që dha kontribut të jashtëzakonshëm në lëvizjen politike të Shqiptarëve.
Në këto momente të rënda të pikëllimit Ju lutem që ngushëllimet e mija më të sinqerta t’ia bartni familjarëve të Jonuzit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve në Këshillin Nacional të Shqiptarëve dhe Kuvenditn komunal të Bujanocit.
Kryetari i PVD-së
Riza HALIMI
——————————————————————————————————————-
“Me dhembje mora lajmin për vdekjen veprimtarit të shquar Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Jonuz Musliu dha një kontribut të vazhdueshëm për avancimin e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Jonuz Musliu po ashtu dha kontribut në procesin e çlirimit të Kosovës.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu” – ka shkruar Hashim Thaçi
——————————————————————————————————————-
Ramush Haradinaj, kryeministër I Kosovës, ka shkruar në facebook, se me dhembje morra lajmin për vdekjen e luftëtarit të lirisë.
“Me dhembje mora lajmin për shuarjen e luftëtarit të lirisë, ish komandant i UÇMPB-së dhe Kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu.
Musliu, një jetë njeriu i është përkushtuar zgjidhjes së drejtë të çështjes së shqiptarëve në Luginë, luftëtar i paepur i të drejtave të njeriut, mik dhe familjar i mirë, do t’i mungojë familjes së tij, dhe komunitetit.
I qoftë i lehtë dheu!” – ka shkruar Haradinaj.
——————————————————————————————————————-
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me dhembje e ka kujtuar bashkëluftëtarin e UÇK-së, Jonuz Musliun.
“Me keqardhje të madhe mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të njërit prej miqve dhe bashkëluftëtarëve të mi të UÇK-së, Jonuz Musliut. Jonuzi ka qenë një ndër veprimtarët më të hershëm dhe më kontribues në përpjekjet e popullit tonë për liri e barazi dhe gjithë jetën ai ia ka dedikuar kauzës kombëtare. Ikja e tij e parakohshme jo vetëm që pikëllon familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët e tij por edhe lë një boshllëk të madh në sferën politike të bashkëkombëseve tanë në Luginën e Preshevës” – ka shkruar Veseli.
——————————————————————————————————————-
Shaip Kamberi: Me shumë trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Jonuz Musliut (Kryetarit të Kuvendit komunal të Bujanocit; Kryetarit të Këshillit Nacional Shqiptar).
Sot, është vështirë të gjeshë fjalë dhe të përshkruash se sa humbje e madhe është ndarja nga jeta e Jonuz Musliut, jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë qytetarët e Komunës së Bujanocit, Luginës së Preshevës dhe të gjithë shqiptarëve në përgjithësi.
Sot, pavarësishtë se një hije e rëndë na ka ra të gjithëve, veprimtaria e tij do të mbetet një udhërrëfyes jo vetëm për neve por edhe për gjeneratat pas nesh.
Miku im Jonuz Musliu,
Përfunduam shumë projekte të rëndësishme, u ballafaquam shumë sfida bashkërisht, megjithatë na la edhe shumë punë tjera për t’i realizuar dhe shumë sfida për tu ballafaquar.
Pa ty, do të jetë shumë më vështirë, por, ke lënë shenja të pashlyeshme si mik besnik e i guximshëm, si partner i sinqertë dhe parimorë, si qytetarë i përkushtuar për përmirsimin e gjendjes së qytetarëve të komunës të cilës edhe ti i takove.
Do të mbetesh edhe një shenjues i një epoke për shqiptarët e Luginës si të tillë edhe do të kujtojmë.
Pusho i qetë.
——————————————————————————————————————-
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta e ish liderit politik të UÇPMB-së, Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptarë, Kryetarit të Kuvendit Komunal të komunës së Bujanocit, si dhe kryetarit të LPD – së, z. Jonuz Musliu.
Ndarja nga jeta është një humbje e madhe për familjen Musliu, njëkohësisht është një humbje e madhe për Luginën e Preshevës, ngase kontributi i tij për popullin shqiptar në Luginë të Preshevës dhe përkushtimi i tij gjatë konfliktit të vitit 2001, la gjurmë të çmuara.
Të nderuar familjarë, shokë e dashamirë të zotit Musliu, më lejoni që në emrin tim personal si dhe në emër të të gjithë anëtarëve të Alternativës për Ndryshim, tju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.
U prehtë në paqe dhe i lehtë i qoftë dheu” – ka shkruar Shqiprim Arifi.
——————————————————————————————————————-
Ardita Sinani ka shkruar: “Me dhimbje të madhe mora lajmin për vdekjen e Jonuz Musliut, veprimtarit të çështjes kombëtare!
Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Musliu, ish veteranëve të luftës, bashkëpunëtorëve të tij dhe të gjithë atyre që e njohën!
I qoftë i lehtë dheu i Luginës: – përfundon Sinani.
——————————————————————————————————————-
“Me pikëllim të thellë mësova se miku im Jonuz Musliu është ndarë nga jeta.
Lajmi për vdekjen në moshë të re të veprimtarit të çështjes kombëtare si dhe politikanit Jonuz Musliut, na ka tronditur shumë dhe e kam të vështirë të gjej fjalët e duhura për të përshkruar personalitetin e tij.
Vdekja e hershme e Jonuz Musliut është humbje e jashtëzakonshme për Ju, familje Musliu, për botën shqiptare, për miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë vepruar me të.
Jonuz Musliu shquhej për mprehtësinë politike, thellësinë intelektuale, transparencën e ideve dhe konceptimin global të çështjes shqiptare. Ai la gjurmë të thella në kuadër të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve, duke artikuluar individualitetin e tij në parti politike, në krijimin e opinionit publik, në trajtimin dhe vlerësues të pozitës së shqiptarëve në shekullin e kaluar dhe shekullin aktual.
E shfrytëzoj ketë rast të dhimbshëm për t’iu shprehë ngushllime të sinqerta familjes, farefisit dhe gjithë miqëve të tij.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Kryetarin, Jonuz Musliu” – ka shkruar Ragmi Mustafa në facebook.
——————————————————————————————————————-
“Partia Demokratike me seli në Bujanoc shpreh ngushllimet më të sinqerta familjes dhe popullit shqiptar në Luginë me rastin e vdekjes së Jonuz Musliut, kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, njëherit kryetar i Kuvendit Komunal në Bujanoc, kryetar i LPD-së dhe ish lider politik i UÇPMB-së.
PD konsideron lartë kontributin e z.Musliu në udhëheqjen dhe zhvillimin e luftës së UÇPMB-së, Gjithashtu, edhe në jetën politike z.Musliu dha kontribut të vazhdueshëm në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe nuk pushoi së luftuari për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar deri në momentet e fundit të jetës së tij.
PD ndanë dhembjen me familjarët, farefisin, miqtë, ish ushtarët e UÇPMB-së, bashkëpartiakët e tij dhe gjithë qytetarët shqiptarë, dhe lutet sinqerisht te Zoti që ta mëshirojë dhe ta shpërblejë me të mirat e tij” – ka shkruar Nagip Arifi.
——————————————————————————————————————-
Pas ndarjes nga jeta të Kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit, z. Jonuz Musliut, LR-PDSH i dërgon ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e të dashurit të tyre dhe kolegëve e bashkëqytetarëve për humbjen e shokut. Zoti ju lehtësoftë dhimbjen!
——————————————————————————————————————
Sot Luginës së Preshevës iu shua edhe një politikan i cili me tere qenien e vete luftoi per realizimin e te drejtave tona kombëtare!
Me vdekjen e Jonuz Musliut, përpjekjet e gjithëkohëshme të shqiptarëve të Luginës do të pësojnë një zbehje ,por asesi nuk do te ndalemi gjer ne realizimin e tyre duke vene ne vend amanetin e tij.
Ngushllimet ma te perzemerta familjes Musliu, shokeve dhe bashkeluftareve te tij!
Zoti të mëshiroftë kryetar Jonuz Musliu!
Skender Destani BDL

