Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq, thot se nuk e patën qare pa ndërhyrë në pushtetin e Preshevës, për shkak mungesës së mbajtjes së seancave kuvendore për tre muaj rresht. Por, nuk e arsyeton mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të organit të përkohshëm, i cili do ta qeverisë komunën deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke pohuar se nevojitet kohë deri sa të formohet një shumicë parlamentare në qeverisjen e suksesshme të pushtetit vendor.
Gjithashtu, zonja ministreshë, nuk ka dhënë sqarime pse dy anëtarë të një subjekti politik plus një anëtarë serb nga radhët e partisë së presidentit Vuçiq, janë vendosur në krye të këtij organi të përkohshëm, nga pesë sish, kur dihet se përbërja e parlamentit lokal në Preshevë, është qind për qind shqiptar.
Gjithashtu, mbetet misterioze se si do të qeverisë ky organ i përkohshëm me tre gishta, dy prej të cilëve, tashmë e kanë zyrtarizuar bojkotin?!
Beogradi, si gjithherë, e ka menduar mirë hapin e masave të përkohshme për ta përçarë edhe më shumë korpusin politik e institucional, duke krijuar një problem artificial, për t’ia zgjatur jetën ngërçit polik e kolapsit ekonomik në Preshevë.
Duke e krijuar problemin e masave të përkohshme në Preshevë, Beogradi, ka hedhur me një anë kërkesat e shqiptarëve për riorganizimin e Trupit Koordinues e në anën tjetër kanë bllokuar shfrytëzimin e miliona dinarëve për zhvillimin e komunës.
Në të njëjtën kohë pushteti qendror i Beogradit, ka provokuar pushtetin lokal të Bujanocit me një Këshill kinse ekonomik, si paralajmërim i mundshëm paralelizmi në këtë komunë multietnike, ngjashëm me atë të Mitrovicës së Kosovës.
Ky veprim i Beogradit, s’ka se si të mos lidhet me atë thënien e kahmotshme “me një guri me i vra dy zogj”, e kur t’i shtohen edhe problemet e Medvegjës i bie paksa më ndryshe “me një guri, me i vra një tufë zogjsh”!
Si do që të jetë vjeshtën politike në Luginë të Preshevës e pret një mot i mbarsur me shi e klimë të ftohtë, paraprijëse të dimrit të acartë, me shpresë se do të vijnë ditë më të mira, ngase me ato të këqijat jemi mësuar prej kohësh.
Sevdail Hyseni
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-rtvpresheva.com

