Partia Demokratike Shqiptare po vazhdon takimet me bazën e vet në nëndegët e saja. Tubimin e fundit kjo parti e pati me anëtarët e saj në fshatin Bushtran.
Bashkëbisedimi ishte në saje të gjendjes në kuadër të subjektit me theks të veçantë të veprimit të Këshilltarëve tashmë të shkarkuar nga Partia Demokratike Shqiptare si dhe gjendjes në pushtetin lokal të Komunës së Preshevës.
Nendega e f. Bushtran në zgjedhjet e fundit lokale i kishte dhënë mbështetje të fuqishme Partisë Demokratike Shqiptare, ku nga të gjitha listat zgjedhore, PDSH kishte arritur të grumbullonte numrin më të madh të votave.
Të pranishmëve për fjalim rasti iu drejtua nënkryetari i PDSH-së z. Ilir Sadriu, i cili u falënderua për angazhimin dhe mbështetjen e kësaj nëndege në kuadër të Partisë Demokratike Shqiptare në zgjedhjet e fundit lokale , ku më pas shpjegoi zhvillimet dhe proceset politike që pas zgjedhjeve lokale në komunën e Preshevës si dhe zhvillimet në kuadër të subjektit.
Sikurse në nëndegët tjera edhe kjo nëndegë përshëndeti veprimin e shkarkimit nga anëtarësia të dhjetë këshilltarëve që janë ndarë nga grupi i 14-të këshilltarëve sa ka fituar në zgjedhjet e fundit Partia Demokratike Shqiptare, ku e dënuan rëndë keqpërdorimin e mandateve të fituara edhe nga elektorati i kësaj nëndege dhe me mbështetjen e gjërë të anëtarësisë së PDSH-së.
Nëndega e f. Bushtran, e dënon rëndë veprimin e dhjetë këshilltarëve tashmë të përjashtuar nga Partia Demokratike Shqiptare, të cilët në mënyrë të paskrupullt shfrytëzojnë mandatet e këshilltareve, e që pas veprimeve të tyre nuk kanë miratimin e asnjë organi të PDSH-së por vetëm interesat e tyre personale dhe familjare.
Prandaj nëndega e f. Bushtran, shpreh shqetësim të madh ndaj këshilltarëve tashmë të përjashtuar nga PDSH, në të njëjtën kohë KËRKON që këta këshilltarë të dorëzojnë mandatet të cilat po i keqpërdorin në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve dhe normat statutore të Partisë Demokratike Shqiptare.
Shqetësim tjetër për anëtarët e kësaj nëndege ishte edhe situata me menaxhimin e institucioneve të pushtetit lokal që pas zgjedhjeve lokale të 24.prillit të vitit 2016, ku është ky viti i dytë që nuk ka asnjë rezultat në të gjitha segmentet me të cilat menaxhon pushteti lokal.
Edhe nga ky takim pjesëmarrësit konstatuan se PDSH është subjekti i vetëm që mund ta ndryshojë këtë gjendje të brishtë politike që po mbretëron në komunën e Preshevës, prandaj shprehën gatishmëri për mobilizim më të madh qytetar në kuadër të Partisë Demokratike Shqiptare.
Bashkëbisedimet me nëndegët tjera do vazhdojnë gjatë ditëve në vijim./rtvpresheva.com/