Sot, udhëheqësit e pushtetit lokal në Preshevë, kryetarja Ardita Sinani, zëvendëskryetari Ragmi Mustafa dhe shefi i kabinetit të kryetares Besim Shabani janë pritur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Igli Hasani.
Ky takim i rëndësishëm u fokusua në hapjen e kapitujve të ri për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një arritje që ka rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët, kudo që janë.
Kryetarja Sinani ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet të sinqerta për angazhimin dhe përkushtimin e ministrit për çështjet e Komunës së Preshevës në veçanti dhe Luginës së Preshevës në përgjithësi.
Sipas kryetares, në takim me ministrin janë diskutuar për disa nga sfidat kritike që përballen shqiptarët në këtë rajon, përfshirë:
– Pasivizimin e adresave,
– Mosnjohjen e diplomave nga Republika e Kosovës,
– Çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Ministri na siguroi për mbështetjen e tij të vazhdueshme në realizimin e projekteve të rëndësishme për zhvillimin e kulturës dhe ekonomisë lokale, si:
– Panairi i Librit Shqip në Komunën e Preshevës,
– Murale artistike për zbukurimin e qytetit,
– Subvencionimi i startapeve për të rinjtë,
– Ndërtimi i shkollës fillore “Selami Hallaçi” në Rahovicë.
“Ne ndamë një vizion të përbashkët për fuqizimin e identitetit kulturor dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, duke u angazhuar për projekte që do të sjellin përfitime të qëndrueshme dhe të ndjeshme për qytetarët tanë.
Faleminderit shtetit shqiptar për mbështetjen e tij të vazhdueshme në këto përpjekje të rëndësishme.” ka deklaruar Ardita Sinani