Opinion nga Ragmi Mustafi,
kryetar i Degës së PVD-së Bujanoc
Këshilltar i zv.kryeministrit të Kosovës
Që nga viti 2006 u rendita i 39-ti në listën e kandidatëve për Asamblenë e Komunës së Bujanocit si kryetar i Forumit Rinor të PVD-ës i zgjedhur më 2003/2004. Që atëherë nuk kam ndalur së luftuari për një shoqëri ku barazia, drejtësia dhe e vërteta nuk mbeten fjalë të shkruara në letër, por bëhen pjesë e përditshmërisë. Sepse ne, shqiptarët e Luginës, nuk kërkojmë asgjë më shumë, veçse atë që na takon me të drejtë – të jemi të barabartë dhe të trajtohemi me dinjitet, ashtu si çdo qytetar tjetër.
Që në atë fjalim të parë e theksova me forcë se barazia, drejtësia dhe e vërteta janë themelet mbi të cilat duhet të ngrihet çdo përpjekje për të ndryshuar shoqërinë tonë.
E vërteta është e thjeshtë dhe e qartë: Ne jemi të diskriminuar vetëm pse flasim ndryshe, qeshim ndryshe dhe jetojmë ndryshe. Zakonet dhe traditat tona nuk janë barrë që dikush duhet të durojë, por pasuri që duhet të i festojmë. Por në vend të përkrahjes, kemi hasur në mure të padukshme paragjykimi dhe përjashtimi, që na mbajnë larg nga mundësitë që duhet të na takojnë njësoj si gjithë të tjerëve.
Drejtësia nuk është luks që dikush duhet ta shpërndajë me pikatore. Drejtësia është e drejtë universale, njësoj për të gjithë. Barazia nuk është diçka që na bëhet dhuratë; ajo është detyrimi i çdo shteti që pretendon të jetë demokratik. Por shqiptarët e Bujanocit e të Luginës trajtohen sikur të jenë qytetar të padëshiruar të rendit të dytë në shtëpinë e tyre.
Ne kemi një të vërtetë të madhe për të thënë dhe s’kemi ndërmend të heshtim. Nuk do kërkojmë falje për gjuhën tonë, as për mënyrën tonë të jetesës, as për kulturën dhe traditat që na bëjnë ata që jemi. Dhe më e rëndësishmja, nuk do të kërkojmë leje për të jetuar me dinjitet.
Mundësitë nuk janë diçka që duhet t’i presim nga të tjerët – ato duhet t’i krijojmë vetë, me guxim dhe përkushtim. Sepse e ardhmja nuk do të vijë nga ata që heshtin, por nga ata që guxojnë të luftojnë për të vërtetën.
Ne do të ecim përpara, pa u ndalur, sepse ky është rrugëtimi ynë dhe askush s’na e ndal dot rrugën. Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, të luftojmë për barazi dhe të themi të vërtetën, edhe kur ajo të duket e hidhur për ata që nuk duan të dëgjojnë.
Nuk do të heshtim, nuk do të përulemi dhe nuk do të dorëzohemi. Barazia dhe drejtësia janë të drejtat tona dhe do t’i marrim, pavarësisht sa e gjatë apo e vështirë të jetë kjo rrugë. Shiko më pak